Forumi Universi shqiptar
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
Forumi Universi shqiptar

You are not connected. Please login or register

“Shkëlqim Muça, trajneri i duhur për Tiranën”

Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Admin

Admin

“Shkëlqim Muça, trajneri i duhur për Tiranën” Siteow10

Devi Muka, trajneri aktual i bardhebluve, i bën në mënyrë indirekte “ofertë” Shkëlqim Muçës


Pavarësisht se bardheblutë vazhdojnë përgatitjet në prag të sfidës së radhës, që do të luajnë për javën e 25-të me Vllazninë, duket se trajneri është kthyer në çështje më vete te Tirana. Këtë pozicion e mban aktualisht një nga liderët e skuadrës kryeqytetase, Devi Muka. Por edhe ky duket se ka ende për të dhënë në fushë, madje para pak ditësh vetë Muka ka deklaruar se nuk i bën dot të dyja njëkohësisht, të drejtojë dhe të luajë.

Kur e pyesim Devi Mukën se kush do të dëshironte që të ishte trajneri që mund ta kthente në “identitet” Tiranën, kapiteni i bardhebluve pohon: “Po të ishte në dorën time, pa hezitimin më të vogël do të thoja që Shkëlqim Muça është trajneri ideal që i duhet skuadrës sonë. Unë mendoj se ai jo vetëm na bën punë, por ka eksperiencë në drejtim dhe di si ta mbledhë një ekip që synon trofe.

Sot për sot, ai është trajneri më i mirë në qarkullim, aq më tepër që ka dalë nga ky klub, por e ka provuar edhe këtu postin e trajnerit duke qenë i suksesshëm. Por mendoj se edhe Mirel Josa apo edhe Edmond Gëzdari janë specialistë të mirë dhe besoj se do të dinë të bëjnë më të mirën për ekipin e Tiranës. Megjithatë, për mua është pak herët, të mbaroj ky sezon dhe në fund është mirë që të bëhen llogaritë, sepse aktualisht jemi përqendruar te ndeshja e radhës me Vllazninë, por edhe në realizimin e objektivit, që është zënia e vendit të 3-të në fund të këtij kampionti.

Vetëm për një gjë ju garantoj, që unë nuk do të jem më trajner i Tiranës në “finishin” e garës, pasi kam ende për të dhënë në fushën e lojës,”- tha trajneri-lojtar i skuadrës së Tiranës, Devi Muka. Në ndeshjen ndaj Flamurtarit, Muka u aktivizua për herë të parë qysh pas pezullimit që i dha disiplina pas incidenteve të ndodhura në derbin me Dinamon.

Në Vlorë, ai tregoi se ishte një pikë kyçe jo vetëm në mesin e fushës, por “ingranazhet” e bardhebluve me Devin në fushën e lojës filluan të lëviznin siç duhet. Megjithatë, Muka ende nuk e ka vendosur nëse do të luajë apo jo me Vllazninë, një sfidë tepër e vështirë për bardheblutë: “Në Vlorë u aktivizova, edhe pse kisha një periudhë jo të vogël që qëndroja jashtë ndeshjeve zyrtare, por jam në mëdyshje për të luajtur me Vllazninë, pasi skuadra edhe pa mua ka funksionuar mirë. Nuk dua që të bëj lëvizje në formacion, megjithatë nëse do të jem apo jo në fushë ndaj shkodranëve, do ta mësoni pak minuta para sfidës,” - ka përfunduar prononcimin e tij Devi Muka.

Rivalitet në mbrojtje, stafi në dilemë

Me kthimin e Dabullës dhe Osmanit, duket se është rikthyer edhe rivaliteti në mbrojtjen bardheblu. Dje, trajneri Muka ka zhvilluar një ndeshje kontrolli me 3 pjesë nga 15 minuta, por më shumë rëndësi i ka kushtuar repartit të prapavijës. Fillimisht Muka ka provuar në mbrojtje katërshen Lila-Bici-Osmani-Ahmataj. Më pas Lilën, Dabullën, Osmanin dhe Pashajn. Gjithashtu janë provuar edhe Sina e Abrahami nga krahët.


Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, kritikon ashpër të tijtë për barazimin në kupë
Bizhdili nis me “kërbaçin” dhe “kulaçin”

Mezi ka pritur presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, që të besuarit e tij të paraqiteshin në stërvitje dhe menjëherë ka urdhëruar të ngjiten në sallën e analizave. Nuk ka preferuar të pyesë futbollistët, por ka marrë menjëherë fjalën, duke u deklaruar prerë se kanë zhvilluar ndeshjen më të dobët këtë sezon dhe kanë zhgënjyer jo vetëm atë, por edhe tifozërinë verdhezi.

“Sinqerisht, edhe tani nuk e kuptoj se çfarë patët. Si ka mundësi që përballë një Shkumbini nuk dolët për asnjë moment në vlerat tuaja? E patë? Dy korridore për Danielin dhe njëri përfundoi gol dhe tjetri shpëtoi për fare pak. Këto pasime nuk i pashë dhe shpesh Shkëmbin e pashë gjithnjë të rrethuar me tre apo katër futbollistë miq.

Të thuash se gjyqtari na penalizoi, kjo nuk shkon. Atëherë çfarë emri t’i vë kësaj ndeshjeje? Megjithatë, përsëri u luajt vetëm akti i parë. Ju qëndroni shumë më lart se Shkumbini, sepse jo më kot jeni në vend të dytë. Ndaj pres që atë që nuk bëtë në Kavajë, ta bëni në Peqin.

Ju keni fituar në Peqin dhe kjo nuk përbën ndonjë surprizë. Kështu që kapitullin e kupës e dua të mbyllur dhe pres finalen,” - u ka thënë futbollistëve dje presidenti Bizhdili. Sigurisht, Besa edhe në kampionat nuk është se i ka punët perfekt. Ajo vjen pas dy humbjesh dhe takimin e radhës pret Flamurtarin. Një fitore e Tiranës, pse jo edhe e Laçit, kërcënon Besën kështu siç erdhën punët. Ndaj numri një i klubit kavajas ka folur edhe për këtë: “Për dy humbjet, me Skënderbeun dhe Kastriotin, nuk ju kam gjobitur asnjë qindarkë.

Po me Flamurtarin besoj e keni të qartë se është e ndaluar të gaboni. Nuk mund të hedh në plehra milionat që keni marrë ju dhe po ju do të jeni ata që duhet ta dëshmoni këtë. Pres me çdo kusht vetëm fitore, sepse duhet ta dini se, sa më shumë kalojnë javët, aq më të vështira bëhen takimet. Nuk është çudi që edhe Gramozi të vijë të na befasojë. Barazimi dje me Shkumbinin është rasti më i freskët se nuk mund të rrimë të qetë. Kështu, vendi i dytë kalon më së shumti në takimet në shtëpi, duke filluar me Flamurtarin. Punë të mbarë dhe pres të dielën vetëm fitore,” - i ka mbyllur fjalët e tij presidenti i Besës.


Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, e vlerëson më të vështirë Besën sesa Tiranën që e mundi
Magani: Dyfish punë na del në Kavajë

Përballja me Besën, ditën e diel në transfertë, për ekipin vlonjat përbën një tjetër sfidë të vështirë në rrugën drejt sigurimit të qëndrimit në superligë. Parë faktin që ekipi kavajas është në vend të dytë në kampionat, për Flamurtarin, ndeshja konsiderohet natyrisht si një nga më të vështirat, aq më shumë që luhet në fushën e këtij të fundit.

Për këtë qëllim, edhe gjatë seancave stërvitore disa herë vetë trajneri i ekipit vlonjat Magani ka kërkuar nga futbollistët të japin më të mirën e tyre, ndërsa diçka e tillë të pasqyrohet edhe në fushën e lojës ditën e diel. “Ne vijmë nga një fitore shumë e rëndësishme në Vlorë ndaj Tiranës, në një ndeshje që kemi luajtur me dy tablo dhe natyrisht këtë e kemi diskutuar edhe me vetë futbollistët gjatë ditëve të fundit.

Por edhe pse kemi marrë tri pikë, ndaj një kundërshtari të vështirë si Tirana, në renditje mbetemi ende të rrezikuar dhe tashmë do të na duhet të luajmë ndaj një ekipi tjetër të vështirë si Besa. Unë e pashë ekipin kavajas edhe në ndeshjen e kupës në mesjavë dhe me të drejtë më duhet të them që kanë një ekip me lojtarë mjaft cilësorë dhe jo më kot qëndrojnë në vend të dytë të superligës. Ndaj do të na duhet që ditën e diel të japim në fushën e lojës më të mirën tonë për të arritur rezultat pozitiv, pasi edhe kampionati tashmë vjen edhe vështirësohet edhe më shumë. Çdo hap fals mund të na dëmtojë. Ne e dimë që në çdo përballje na duhet të japim më të mirën, por natyrisht e pranojmë që ndaj Besës do të jetë e vështirë.

Të shpresojmë se ajo fitore ndaj Tiranës një javë më parë në fushën tonë do të na shërbejë për të vijuar serinë e rezultateve pozitive, por edhe për të qenë më të qetë dhe fituar besim në forcat tona. Ndeshjet mes Flamurtarit dhe Besës, kudo ku janë luajtur, kanë dhuruar përherë nivel të kënaqshëm loje dhe natyrisht kanë qenë takime të bukura për tifozët. Kështu do të ndodhë edhe këtë të diel në stadiumin e Kavajës. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje të mirë, ndaj një kundërshtari cilësor si Besa dhe më pas të arrijmë objektivin tonë për këtë përballje,” ka përfunduar trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, që ka një tjetër sfidë delikate, kësaj radhe në transfertë.

Burimi Ssh

https://univers.albanianforum.net

Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi

 
  •  

Free forum | ©phpBB | Forum mbështetës | Report an abuse | Latest discussions