Forumi Universi shqiptar

You are not connected. Please login or register

Fan S. Noli

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

1 Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:13 am

Juna






Pjesa nga Historia e Skenderbeut e Fan Nolit

Lufta e Torviollit


Ishte ne te ngrysur e siper, kur u radhiten te dyja ushtrite, njera kunder tjetres dhe ushtaret e lodhur kishin nevoje per prehje. As njera ane, as tjetra nuk levizi dhe puna mbeti per te nesermen.

Kur u gdhi dita 29 Qershor 1444, shqiptaret paten rastin ta shohin mire armikun, me te cilin do te mateshin. Fusha e tere ish mbuluar prej syresh dhe dukej sikur turqit s’kishin vec te vertiteshin e me sulmin e pare ta merrnin neper kembe ushtrine e vogel shqiptare. Malet oshetinin nga trumbetat, nga daullet dhe nga klithmat e tyre shurdhuese. Skenderbeu, kaluar, po rendte nga njera ane e ushtrise tek tjetra, I therriste me emer oficeret dhe ushtaret dhe i porosiste te gjithe te mbarojne detyren e tyre si burra. Duke ditur qe beteja do te mbante shume kohe, i vuri ushtaret te hanin mengjesin, posa kish nisur te zbardhellonte agimi, pastaj i vuri te gjithe ne rregull, e dha urdher qe te mos leviznin, por t’i lene turqit te sulen te paret, nga frika se mos ushtaret e tij te paduruar verviteshin pa rregull, shperndaheshin dhe shtypeshin nga numri i maadh i armiqve.

Turqit, te bindur qe e kishin te fituar betejen, duke shikuar shqiptaret si te mpire, qe nuk jepnin shenje jete, me nje bertitje te shfryre nga mijra gurmaze, u leshuan kunder shqiptareve…

…Te dyja ushtrite u perleshen dhe beteja mbajti gjer me tri ore pas darke. Turqit e drejtuan tere forcen e tyre kunder qendreses shqiptare dhe sulmet e tyre te perseritura qene aq te terbuara, sa do ta kishin thyer, sikur te mos ndodheshin atje Skenderbeu me Aidinin. Krahu i djathte e kishte me pisk: Anton Linjorosa, kapedan i leberve dhe i himarjoteve te Arianitit, Martin Igraka, kapedan i malesoreve te Dukagjinit, Pal Kuka, Pjeter Spani, Pjeter Strusimeri, Stefan Ersiçi dhe disa kapedane te tjere te shenuar ishin vrare, tre flamure kishin rene ne duar te armikut dhe Tanush Topia mezi po e mbante ushtrine e tij, e cila ishte ne te thyer e siper. Ne kete cast u sul nga pusia kaloresia e Hamze Kastriotit dhe goditi ushtrine turke nga krahet, kur nga ana tjeter Vrana Konti, sipas urdherit qe kish marre, i ra ne balle. Krahu i mengjer i ushtrise turke, i vene midis dy zjarresh, u thye dhe u shkaterrua ne pak kohe. Pas kesaj Moisiu i Dibres, me nje sulm te perfundme, e dermoi krahun e djathte te armikut. Mbetej qendra ku ndodhej pashai vete, me lulen e ushtrise turke. Skenderbeu, duke pare te dy krahet e ushtrise se tij te fituar, beri nje sulm tjeter dhe u vervit si shigjete ne mes te armiqve, duke korrur me shpaten e tij me te djathte e me te mengjer, duke i shkaterruar turqit e duke humbur ne rene e pluhurit, te ngritur prej kembeve te kuajve. Garda mbreterore me Aidinin ne krye, duke pare rrezikun e mbretit, u sul e tera si nje trup dhe e goditi qendren turke me aq terbim, sa kjo nisi te tronditet, pas gardes erdhen Vrana Konti dhe Martin Spani me rezerven dhe me perpjekje te perfundme, qendra turke u dermua dhe u shkaterua krejt. Luanet kete dite kishin kundermuar luane. Turqit te thyer plotesisht moren arratine, po shqiptaret ishin aq te lodhur, sa s’u kish mbetur force t’i ndiqnin.

Kjo dite u provoi shqiptareve qe mbreti i tyre ishte nje komandant i klasit te pare. E pane me sy te sulet perpara, kurdohere i pari, te marre pjese ne te gjitha perpjekjet si nje ushtar i zakonshem, te jape komande per cdo levizje, pa e humbur gjakftohtesine ne mes te rrebeshit me te tmerruar, te manovroje me shpejtesi e mjeshteri dhe t’i turbulloje koken armikut, duke e goditur nga fusha e betejes.

2 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:14 am

Juna




Ushtria e Skenderbeut (marre nga Historia e Skenderbeut e Fan Nolit)

Organizimi dhe stervitja e nje ushtrie ishte vepra me rendesore, te ciles iu pervesh Skenderbeu qe kur u kthye ne Kruje, vecanerisht posa dinte qe s’ish e largme koha kur do te ndodhej balle per balle me ushtrine e Perandorise Turke. Nga ushtaret dhe vullnetaret qe u mblodhen, mbajti vetem 15000, 8000 kalores dhe 7000 kembesore, te gjithe luftetare te sprovuar, te zgjedhur me kujdes, te tjeret i ndau neper fortesa a i dergoi ne shtepi, qe t’i therriste kur t’i duheshin.

Gjithe ne kete kohe, futi ne principaten e tij rekrutimin, gje per te cilen asnjeri s’ish menduar gjer atehere ne Europe dhe e cila qe nje reforme e padegjuar ne Shqiperi dhe beri list ate plote te meshkujve qe nund te mbanin arme, qe t’i mblidhte kurdohere qe te ish nevoja. Kesaj gjeje Skenderbeu i jep aq rendesi, sa u vu ne krye te komisionit dhe doli fshat me fshat, per te shikuar njerezit dhe bere listat.

Vleren e nje ushtrie te rregullshme, te gjithanshme dhe te gatshme per lufte ne cdo minute, Skenderbeu e kishte mesuar nga Turqia, ku pa me sy sherbimet e vyera te jenicereve. Fitimet e tyre turqit ja detyronin ketij trupi ushtarak, te zgjedhur, te cilin e themeloi sulltan Orhani. Skenderbeu e solli kete sherbim ne Shqiperi dhe formoi nje trup te zgjedhur prej me teper se 2 mije shqiptaresh, te cilet nga disiplina, trimeria dhe besnikeria, s’kishin shoke ne bote. Emrat dhe trimerite e cilitdo pej tyre i dinte Skenderbeu me goje, hante shume here ne nje tryeze me ta dhe pas fitimit te ndonje beteje, i pinte shendetin dhei i jepte te pije me kupen e tij atij qe kishte rrefyer me teper trimeri, pa ndryshim shkalle dhe ofiqi… Barleti e permend kete garde mbreterore, te cilen e quan “proetoria cohors”, ne Betejen e Torviollit. Pjesa kalorese e gardes perbehej prej 600 krutanesh te zgjedhur. Skenderbeu kujdesej vecanerisht per ushqimin, veshjen dhe pagesen e ushtareve te gardes.

Pastaj beri fortifikata te reja rreth Krujes, vizitoi te gjitha keshtjellat, te cilat i vuri ne shtet-mbrojtje, studioi hollesisht topografine e Shqiperise, duke mos lene as mal, as fushe, as pyll, as lume, as vije, as perrua, as gryke pa matur nga pikepamja strategjike. Dhe atyre qe kish pas u thoshte qe, per nje general te mire, eshte aq nevoje te dije vendin qe ka per te mbrojtur, sa dhe numrin dhe cilesine e ushtrise armike.

Ushtrine e re e mbante gjithnje ne levizje dhe ne ushtrim, dhe ne pak kohe e beri gati per lufte dhe aq te disiplinuar, sa dukej sikur ishte stervitur vite me radhe e ish pjekur e rrahur ne zjarrin e betejave. Ushtareve te rinj s’u rrihej vendit nga mosdurimi qe te perleshen me armikun. Cilido ngrihej ne mengjes gati qe te nisej, i fliste kalit, shpates, krahut, ftonte shoket te bashkohen e te mos presin me. Skenderbeu mezi i permbante dhe uronte me gjithe zemer qe ushtria turke te vionte nje ore e me pare …

3 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:14 am

Juna




Vdekja e Skenderbeut

Zemerimi i Sulltanit kunder shqiptareve dhe venecianeve ishte aq i madh , sa ne mes te dimrit, nje turme prej 15000 turqish, permes maleve te mbuluara me debore, u duk perpara Shkodres. Kur erdhi lajmi ne Lezh, kryetrimi i semure ne shtrat te vdekjes u perpoq te ngrihej e te kapte armet dhe dha urdher qe t’i gatitnin kalin. Por trupi i tij i tretur nga ethet, nuk levizte dhe garda mbreterore shkoi kete here te luftonte pa Mbretin ne krye te saj. Po tmerri i emrit te tij ishte aq i madh, sa turqit me te pare “kohorten pretoriane”, kujtuan se ishte dhe ai, moren arratine dhe u shuan krejt prej malesoreve nepre gryka dhe pusi. Skenderbeu mezi merrte fryme, kur i sollem lajmin e mire te fitores se fundme. Kur i thane mjeket se s’kishte me asnje shprese per sherim, thirri princerit shqiptare dhe bajlozet e Venetise, te cileve u la shendet dhe i keshilloi te vazhdojne luften e perbashket kunder turqve. Mbreterine e tij ja la te birit, Gjon Kastriotit, me mbretereshen si regjente, dhe i porositi qe, po te ndodheshin ne rrezik, te shkonin ne qytetet qe i kishte falur Ferdinandi i Napolit. Mund te marrim me mend hidherimin qe ndjeu Skenderbeu, kur hodhi rreth tij syrin e mjegulluar nga hija e vdekjes djhe s’pa asnje princ shqiptar te zotin per te pasuruar vepren, te cilen vdekja s’e la ta mbaronte.

Pasi u pershendosh me te gjithe dha shpirt me 17 te Janarit 1468, ne verse prej 56 vjetesh, pas nje mbreterimi prej 24 vjetesh e dy muajsh, te shkuar ne lufte kunder turqve per lirine e Shqiperise dhe per mbrojtjen e Europes.

Kur vdiq Skenderbeu asnje sy nuk mbeti i paperlotur. Mbreteresha dhe i biri dymbedhjetevjecar, te gjunjezuar perpara kufomes se tij, po lebetiteshin. Princerit rreth e rrotull po qanin si foshnja dhe e vajtonin, sipas memyres shqiptare, me kenge:

- O trim Gjergj, zot e mbret, o ate i shenjte e mbrojtesi yne, qysh na le jetime e te shkrete si dhente pa bari? Ku te vemi tani te kerkojme ndihmen ne shtrengime? E kush do na mbroje tani nga armiqte apo nga terbimi i turqve? Mjere ti o Shqiperi, mjere ne derezezte, mjere i madh e mjere i vogel, mjere tere krishterimi qe humben nje te ketille kryembrojtes!

Lek Dukagjini, si i marrosur nga hidherimi, rendi ne shesh te qytetit e, duke cjerrur kraharorin e duke shkulur mjekren dhe floket, bertiti:

- Ejani o shqiptare! Sot ra kryekeshtjella e Shqiperise, fortesat tona u permbysen, fuqia jone humbi, qytetet tona rane perdhe, tere shpresa jone u shua me vdekjen e nje burri!

Klithmat zemercjerrese dhe te mallengjyera te popullit e mbuluan kete lajmerim te Dukagjinit, te cilin e vertetonin tingellimat vajtimtare te kambanave.

Atje tej degjohej hingellimi i deshperuar, i mallengjyer, i ngjirur, i keputur i nje kali. Ishte kali luftetar i Skenderbeut, qe vajtonte te zotin. Mihte dhene me terbim, renkonte si i plagosur per vdekje, dritherohej e ngjethej si nga e ftohta e etheve, shfrynte avull e leshonte lot si njeri. Qe kur u shtri Skenderbeu ne shtrat , u semur edhe ai, dhe kur vdiq u egersua, s’qaste njeri tjeter qe t’i hipte, s’donte me te hante, s’donte me te rronte e u shtri e vdiq pak dite pas te zotit.

Skenderbeu u varros ne Katedralen e Shen Kollit ne Lezhe. Te gjithe princerit, oficeret e ushtaret e tij, me garden mbreterore e percollen ne banoren e fundme. Gjemimi i topave lajmeroi se kufoma e tij zbriti ne varr dhe bashke me te edhe Shqiperia e lire.

Shqiperia e qau dhe e vajtoi vite me radhe. Europa derdhi lot te hidhur. Te gjitha oborret, anembane Europes, mbajten zi, se fama e tij ishte perhapur aq shume ne bote, sa edhe armiqve u vinte keq per vdekjen e tij.

Kur e degjoi sulltan Mehmeti tha:

“Nje luan te tille s’do ta linde me dheu kurre!” Dhe pastaj shtoi: “Tani Europa dhe Azia jane te miat! Mjere krishterimi se i humbi shpata dhe mburoja!”

4 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:15 am

Juna




Energjia morale dhe kurajoja e Skenderbeut jane teper te medha dhe me keto ai fitoi vendin ne radhen e pare te kryetareve te pavdekur. Keshtu ne kohen kur fuqia turke ishte me te arrire kulmin e saj, niset me treqind veta per te shpetuar Shqiperine nga zgjedha. Qysh ndodhej Shqiperia kur vajti ta shpetonte? Kishin mbetur vetem pleqte, na thoshte Gjon Muzaka, se te rinjte pothuaj ishin vrare te gjithe ne luftrat e paprera kunder turqve. Ne nje lufte per vdekje prej 24 vjetesh, me c’ushtri u bente balle mizorive turke? Me nje grusht trimash qe i frymezonte me heroizmin e tij. Sa me teper rriteshin rreziqet, aq me teper i celej fytyra, ne syrin e tij shkrepetinte fitorja,

Shume here Turqia, tmerri i Europes, i blatoi paqe. Skenderbeu hidhte poshte kryelartesisht cdo propozim, qe nuk pajtohej me dinjitetin dhe indipendencen e Shqiperise dhe kete gje e bente ne kohera kritike, kur humbja e tij dukej fare e sigurte.

Ish i palodhur nga shpirti dhe nga trupi, gjithnje ne levizje, kurre ne prehje, hante me ushtaret, flinte i armatosur ne kamp, me gune e ne rrogoz. Pese ore gjume i ishin mjaft ne kohe qetesie, vetem dy a tri ore ne kohe shtrengice. Hante dhe pinte shume, por duronte dite me radhe pa ngrene. Si Hanibali dhe Napoloni, vishej per vete pa lluks e madheshti, por ushtaret i deshte te stolisur me ar e mendafsh, te ushqyer mire dhe paguar pasurisht.

Ne betejat kursente me teper ushtaret se veten e tij. Edhe luftonte, edhe e drejtonte betejen. Nga shpejtesia e cuditshme dhe rreptesia derrmonjese e goditjeve te tij mund te barazohet vetem me Jul Qesarin, ne mos me shkrepetimen e rrufese.

Nga morali, ndonese i rritur ne nje oborr te korruptuar, mbeti puritan malesor. Si Gustav Adolfi i Suedise nuk linte gra, te mira a te liga, t’i afroheshin kampit te tij dhe ndiqte me ashpersi prej fanatiku cdo lloj imoraliteti.

Luftetar i madh, ishte dhe diplomat nga me te hollet, sa mundi jo vetem te fitonte simpatine e fuqive europiane, te cilat pak a shume e ndihmuan moralisht dhe materialisht per te pasuar luften e lirise, por qe edhe i zoti, i vetmi ne tere historine e Kombit te lidhe kreret e palidhur, t’i bashkoje e t’i organizoje shqiptaret e pabashkuar e te pabindur ne nje ushtri te rregullt edhe te disiplinuar.

Turqit, te mundur gjithnje, kur e kishin kunder, arriten te besonin se ai ishte gjysme perendi dhe e nderonin jo me pak se shqiptaret. Kur e pushtuan Lezhen e hapen varrin e tij, per te ndare mes tyre kockat, te cilat i mbeshtillnin me ar e argjend dhe i varnin ne qafe, si hajmalira te shenjta dhe cudiberese, qe t’u shtohej trimeria dhe te mos i zinte plumbi.

Bukuria e pamjes se tij dhe madheshtia e shtatit bashkoheshin me nje force trupore mbinjerezore. Shpata e tij bente cudira. Turqit kujtonin se shpata e tij ishte e magjepsur dhe pas paqes se vitit 1461, Sulltan Mehmeti ja kerkoi si dhurate. Skenderbeu ja dergoi menjehere, por Sulltani ja ktheu prape, duke i thene qe s’ishte shpata qe kerkoi, pasi nuk ndryshonte nga te tjerat ne te prere. Skenderbeu duke nenqeshur i tha ambasadorit turk: “I dergova shpaten e mire, por nuk mund t’i dergoja edhe krahun tim bashke me shpaten”.



Edituar për herë të fundit nga Juna në Fri Jun 25, 2010 6:59 am, edituar 1 herë gjithsej

5 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:15 am

Juna




Anës Lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
Rraskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Ku e lam' e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.
Se ç'e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç'e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç'e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç'e pren' e se ç'e vranë,
Ç'e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.
Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall', as i varrosur,
Pres një shenj' e pres një dritë,
Pres me vjet' e pres me ditë,
Se ç'u tera, se ç'u mpaka,
Se ç'u çora, se ç'u mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Dhe një zë vengon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar' e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!
Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal' e më bën trim,
më jep forc' e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.
Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
brohoras me bes' e shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.

6 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:16 am

Juna




JEPNI PER NENEN

C'thote ajo e ve e gjore,
Mbretereshe pa kurore,
Faqe-cjerre, lesh-leshuar,
Shpirt e zemer perveluar,
Gjysme e vdekur: " O shqiptare,
Nenes mos ja beni varre".

Mbahu nene mos ki frike,
Se ke djemte ne Amerike.

Qan e lutet nene e mjere,
Kerkon vatren edhe ndere,
Do lirin' e saj dhe mbrene,
Sic e pat me Skenderbene,
Bijt' e beses therret prane,
Kur i thirri dhe si vane?

Mbahu nene mos ki frike,
Se ke djemte ne Amerike.

Cilet jane ata tirane,
Qe te prene e qe te vrane?
Qe te therne bij e bija,
Dhe tu nxi tu mbyll shtepia?
Derdhni plumba o shqiptare,
Gjakun nenes per te marre.

Mbahu nene mos ki frike,
Se ke djemte ne Amerike.

Cilet bij te tradhetuan?
Dhe te ndoqne dhe te shuan?
Dhe te lane o shkab' e ngrate,
Pa fole, pa zogj, pa shpate?
Keta qena o shoke i mbytni,
Mbushni gjyle qe t'i shtypni.

Mbahu nene mos ki frike,
Se ke djemte ne Amerike.

Sa kerkon e sa te duhen?
Burrat nga detyra s'druhen,
Trimi i mire do t'te jape,
Sot me vrap e neser prape.
Hidhni, Hidhni tok dollare,
Te mos mbetemi te share.

Mbahu nene mos ki frike,
Se ke djemte ne Amerike.

Do te ndihim pa kursyer,
Per ty, nena jone e vyer,
Qe me drit' e nder te thuresh,
Dhe me bijt' e tu te mburresh.
Cila nene lyp parane?
Cilet bij me shpirt s'i dhane?

Mbahu nene mos ki frike,
Se ke djemte ne Amerike.

Arme dhe fisheke mblidhni,
QESEN edhe SHPIRTIN hidhni,
Per lirine per mbretin* tone,
Sot,pa neser eshte vone,
Jepni, nenen te shpetoni,
Komb' e vatra te ndertoni.

Mbahu nene mos ki frike,
Se ke djemte ne Amerike.

7 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:16 am

Juna




Hymni i Flamurit



O flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr' o nën' e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi, tmerr tirani,
S'të trëmp Romani, as Venecjani,
As sërp Dushani, as turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli.

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamin e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben' u lavdërove,
Dhe në furtun' i funtmi u shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për liri.

Sa shpesh pastaj përdhe u shtrive,
Me zjarr e zi u ndeze u nxive,
Po çdo mizor me shpat' e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintja shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllan', yrnek për fqinë,
Për botën ëndrr' e qjell i ri.

8 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:17 am

Juna




Rent, or Marathonomak

Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthur ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!


Kap një degë prej dafine
Dhe vërtitesh ndaj Athine,
Nëpër fush' e breg mbi breg
Këmba tokën as t'a prek,
Hip' e zbrit,
Petrit, Marathonomak!


Ke një plagë, po s'e the,
Djers' e gjak pikon për-dhe;
Do që ti të jesh i pari,
Për triumfin lajmëtari
Flamur-gjak,
Kuqo, Marathonomak!


T'u tha gryka, po s'të pihet,
T'u mpi këmba, po s'të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmrat ua vret,
Vrer e tmerr,
Shpejt, or Marathonomak!


Kurrë kaqë s'dogji djelli
Dhe si plumb s'rëndovi qjelli,
Kurr' aq ëmbël' e bukur s'ftoj
Hij' e lisit edhe kroj;
Turru tej,
Tutje, or Marathonomak!


Vapa mbyt e pluhri nxin
Ferra çjerr e guri grin
Afsha gjoksin përvëlon
Syrin avulli verbon;
Ur' e prush,
Furr', or Marathonomak!


Gryka si gjyryk të çfryn
Prej Vullkani flag' e tym
Se ç'vëngon e se ç'gulçon,
Zëmra brinjët t'i çkallmon
Me tokmak,
Mbahu, or Marathonomak!


Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s'janë veç Najada
Magjistrica dhe Driada;
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!


Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia
Që të pan' e që të çquan
Dhe fuqinë t'a rishtuan
Ha dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!


Ja, arrive, ua the:
Ç'gas e ç'helm qe kjo myzhde!
"E fituam!", brohorite
Dhe për tok' u-përpëlite;
Vdiq, or vdiq!
Vdiqe, or Marathonomak!


Rent kudo, dyke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!

9 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:17 am

Juna




MOJSIU NE MAL

Ngjitet përpjetë Malit të shkretë
Krye-Profeti trimi me fletë,
Të bisedonjë me Perëndinë
Për Palestinë.

Arrin në majë lart i kapitur,
Qëndron me frikë, pret i tronditur,
Dhe Jehovaj i flet prej një reje
Me zë rrufeje:

"Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,
Tokën e Shenjtë kurrë s'e shkelni
Skllevë, bij-skllevësh, s'e meritoni
Se liri s'doni!"

Krye Profetit dita i ngryset
Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset
Me lot në sy, me zemër të ngrirë
I lyp mëshirë.

Pse kaqë gjatë, Zot, m'arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzet vjet m'a yshqeve,
Dhe sot m'a preve?

"Nem Dhen' e Lirë! Zot ku m'a ke?"
"Shiko, i tha, dhe ja ku e pe."
Së largu Zoti ia pasqyron,
Dhe e shikon.

Ja Nazareti, ja Bethlehemi,
Lum' i Jordanit, Jerusalemi,
Mal' i Sionës, Bethsaidaja,
Dhe Golgothaja.

Sheh gasn' e pritmë për djalërinë
Dhe shkretëtirën për pleqërinë,
Atje sa bukur, këtu sa zi,
0 Moisi.

Këtej ka dimrin, andej prënverën,
Kërkon Parajsën, vdes në Skëterrën;
Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,
Liberator!

10 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:17 am

Juna




MARSHI I KRISHTIT

Hosanna o çliro'njës, Mesi, hosanna!
Shtroni udhën me lule, dafin' e hurma,
Brohoritni trumbeta, timpane, zurna,
Thirr e zbras, o gurmas: Hosanna, hosanna!

Kryetrim, që lëfton, triumfon për atdhe,
Shpëtimtar, kryemjek, kryeshenjt, kryefe,
Pasuri, dhe liri, dhe fuqi ti na dhe,
Lum e lum, Galile: Hosarma, hosanna!

0 i bir i Davidit, i Miri Bari
Ti na prin dhe na rrit në luath e vërri
Ti na ruan, na mpron, dhe për ne bëhesh fli,
0 Njeri-Perëndi: Hosanna, hosanna!

Përmbi Dhe, përmi Fron, përmi Qjell u-bekofsh,
Përmi djall dhe tiran, përmi Ferr mbretërofsh,
Me pean dhe temjan, dhe këmban' u-këndofsh,
Drit' e gas, rrofsh e qofsh: Hosanna, hosanna!

0 i fort' o i urt' o i ëmbël Jesu,
Plot me bes' e me shpresë të biem mi gju,
T'adhurojmë me zëmër këtu e tehu,
Gjithëkunt e pa funt: Hosanna, hosanna!

Hosanna, o çlironjës, Mesi, hosanna!
Shtroni udhën me lule, dafin' e hurma,
Brohoritni trumbeta, timpane, zurna,
Thirr e zbras, o gurmas: Hosanna, hosanna!

11 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:18 am

Juna




Marshi i Kryqezimit


Do të vrasim, Jesu, se të kemi Baba,
Do të varrim, Mesi, se të kemi Usta,
Se s'ke dashur as jet' as martes' as para:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.


Dy kusarë të vegjël i zumë në lak.
Kryqësoji këta, se na vothnë fort pak,
Kryqësoje këtë, se s'na vodhi aspak:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.


Vrajeni, se përunj dhe përmbys pasurinë,
Pasuron, dhe çliron, dhe forcon varfërinë,
Se lëngatën shëron, se ndriçon verbërinë:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.


Varreni, se me botën, me ne s'shëmbëllen,
Se na ndreq shtrëmbëritë, dhe kurrë sna rren,
Se e do vegjëlin' e tiran' e urren:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.


Vrajeni, se për vete s'kujdeset, s'lëfton,
Dhe të mjerët, të humburit nuk i sfruton,
Dhe për sherr, për vlla-vrasje, për luftë s'punon:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.


Varreni, posa s'do as të vras' as të varrë,
As të bënjë të keqen as gjakun t'a marrë,
Dhe katilët me nam na i qan si të marrë:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.


Vrajeni kryengritësin e Shënjtëruar
Si katil të mallkuar, atë ka kërkuar,
Se kujtoj që pa armë na ka për të zgjuar:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.

12 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:18 am

Juna




KRISHTI ME KAMXHIKUN

Në kështjellë t'atdheut, në tempull të fesë
Janë shtruar sarafët pa shpirt e pa besë,
Tregëtojn' e gënjejnë, rrëmbejn' e sfrutojnë,
Thon' ashtu Israelin e mbrojn' e shpëtojnë.

Shtrembërojnë kanunet, i marrin në dorë,
Dhe shkëlqejnë në kish' e në fron me kurorë,
Vegjëlia për ta batërdisen dhe vriten
Dhe kështu parasitët gjakpirës po rriten.

Tradhëtori dinak, hipokrit e kusar
Na u ngrit gjer në kulm, dhe u-bë kryetar;
Nënë zgjedhën besnikët për vdekje lëngojnë,
Se mëkat dhe mallkim kryengritjen kujtojnë.

Çdo i shenjt' ideal, çdo shtëpi Perëndie
Ishte bërë dyqan dhe pazar tregëtie:
Kush fitonte më tepër, ay ishte usta,
Dhe kush nukë plaçkitte ish krejt budalla.

Kur e pa këtë zi dhe këtë erësirë,
Krisht' i ëmbël u-ndes dhe u-bë i vështirë:
Me kamçik e me fshikull sarafët i dboj,
Dhe nga larot gjakpirës atdhen' e shpëtoj.

Dhe Shën Pjetr' i gëzuar ahere i tha:
"Ja tani e ke nisur tamam, or usta!
Me kërbaç e me shpatë mi ne mbretëro,
Dhe me forc' e pahir na çliro, na shpëto."

"Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar,
Se të marrët, të shurdhërit s'kanë dëgjuar;
Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin.
Se shpirt-robi s'çlirohet askurrë pa drurin."

Jesu Krishti s' dëgjoj, dhe s'e mori vesh mikun.
Dhe me lot i penduar e hodhi kamçikun,
Dhe i tha: "S'e ka fajin kurrizi, po truri,
Se lirin' e sjell drita e mëndjes, jo druri."

"Merr-e prapë kamçikun, Shën Pjetri u- përgjeq,
Se përndryshe kjo punë na del mos më keq.
Përkëdhel' u kurrizin dhe do t'të besojnë,
Vraj-i, shtypi, dhe shtrydhi, dhe do t'adhurojnë".

Jesu Krishti s'dëgjoj, dhe s'e mori vesh mikun.
Dhe s'u-unj përsëri që ta merrte kamçikun:
Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë,
Dhe e shëmpnë çlironjësin, fen' e atdhenë.

13 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:19 am

Juna




Marshi i Barabbajt

Allalla, o rezil e katil, allalla,
Stroni udhën me hithr' e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,
Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe,
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!

0 stërnip i Kainit, tepdil si bari,
Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi,
Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli;
0 kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!

Në budrum, nëpër llom' e kufom' u-mallkofsh,
Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh,
Me tam-tam e allarm' e me nëm' u-shurdhofsh,
Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba!

0 i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba!

Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr' e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

14 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:19 am

Juna




SHEN PJETRI NE MANGALL

Fryn' e çfryn veriu,
Ngrin, mërdhin i ziu
Dhe mangallit i afrohet
Që të ngrohet.

Krishtin brënda e gjykojnë
Dhe pas ligjës e dënojnë,
E goditin dhe e shtyjnë,
E pështyjnë.

S'del askush që t'a shpëtonjë,
Roma do t'a kryqësonjë,
Triumfon Legaliteti
Dhe Laneti.

Kur e rrahin dhe e tallin
Pjetri ngulet mbi mangallin;
Kur e pa, u-koll këndezi
Nga qymezi.

Dhe një shërbëtore i tha:
"Je dhe ti një nga ata!"
Po Shën Pjetri proteston,
E mohon.

Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek dorën dhe përdridhet;
Se ç'këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

"S'ka e s'ka si heroizma,
Edhe si idealizma,
Po kur dimër del behari
S'ka si zjarri."

-"Nga ata je!"- thot' ajo,
E mohon Shën Pjetri: -"Jo!
As e njoh, as e kam parë,
Moj e marrë!"

Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek mjekrën dhe përdridhet;
Se ç'këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

"Shkab' e shkëmb me poz' e fjalë,
Se ç'na dolle shkrumb e galë,
Në je trim këtu tregoje,
Shko shpëtoje."

Thot'ajo: -"Je, mos gënje!"
Pjetri e mohon me be:
-"Jo, për Zotin, moj aman,
S'jam e s'jam."

Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek gjuhën dhe përdridhet;
Se ç'këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

-"Simon Pjetër, Bar Jona,
Kështu ndahet kjo dynja:
Kryqi andej, këtej buxhaku
Dhe allçaku.

Se ç' e dogje, se ç' e fike,
Gjel me gjëmb' e këng' armike.
Dhe ndërgjegjen se ç' ia çpove,
Se ç'ia zgjove.

Se ç'vajton Shën Pjetri hidhur,
Lesh-lëshuar, duar-lidhur,
Tri her' e mohoj pa gdhirë,
Faqe-nxirë.

15 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:20 am

Juna




Kenga e Salep Sulltanit

Një mexhlis të math na çeli
Pandeli Jano Vangjeli
Me Sulltan-llokum na veli
Si kofini pas të vjeli.


Fyt' i Floqit po pëllet
Top' i Krosit po kërcet:
Ç'është ky sheqer-kësmet?
Hallvaxhin' e pamë mbret!


Dhe rakia vete-vjen
Xhafer Ypi na mbërthen
Dhe për lot na mallëngjen
Rreth konopit me legjen.


Koço Kotta, mjek hanxhari,
Nis një valle palikari,
Se me një ferman kusari
Sadrazem u-bë firari.


Dhe Feridi faqe ndron,
Die shante, sot lëvdon
Fryn bulçit' e trumbeton,
Që Katrani zbardhëllon.

Dhe sarhosh Iljas Vrioni
Dehet, siç e do zakoni,
Bërtet: "Rroftë Napoloni!
Kështu tha dhe Ksenofoni!"


Se ç' u-çporr xhumhurieti,
Se ç'u-rahatos mileti,
Se Sulltanin prap' e gjeti,
Se, që kur e humbi, s'fjeti!


Ç'ka sepse i vjetri qe
Madhështor sa një deve
Dhe ky s'bën as për meze!
Rroftë sa jep ylefe.


Se ç' na u-gëzua xhani,
Se ç'na preu Ramazani,
Se ç' na piu Italjani,
Rroftë pra Salep-Sulltani!

16 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:21 am

Juna




Syrgjyn -Vdekur

(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran' e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.


Se të deshte dhe s'të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.


Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t'a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.


Nëno moj, m'a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s'i dhe as varr për hor.


Nëno moj, ç'është përpjekur
Gojë-mjalt' e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall' e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.

17 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:21 am

Juna




Shpell'e Dragobise

(Elegji për Bajram Currin)

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mbi një breg të Dragobisë
Priret Flamur' i lirisë.


Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab' e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.


Vendi dridhej, ay mbeti
Se s'tronditej nga tërrmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.


0 Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell' e Dragobisë,
Yll i rrall' i burrërisë.


Thon' u-shtri e thon' u-vra,
Po ti s'vdiqe, or Baba,
As te shkëmb' i Dragobisë,
As te zëmr' e Djalërisë.

As je vrar' e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.


Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn' e Shqipërisë
Katakomb' e Dragobisë.

18 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:23 am

Juna




Nga një fjalim i mbajtur nga Fan S. Noli në Parlamanetin Shqiptar në 1924

E para. Anarkia fetare: katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta. Anarkia sociale: Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burzhuazie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kemi një shembull të bukur për partinë popullore e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse anatarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta. Anarkia morale: Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambicjet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta. Anarkia patriotike: Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si patriotë të mëdhej ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartet e i kanë ndihmuar shenjtërojnë anë e mbanë Toskërinë. Këtu si më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikojë interesat e tij sepse kështu do të jetë i sigurtë që të nesërmen do të prokllamohet patriot i madh.

E pesta. Anarkia e idealeve : Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buhares përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla më elegante e më të nderitshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpuseh që mund ti copëtosh, por jo ti shqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë; atëhere e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atehere e kapi me dhëmbë e s’e lëshoj gjersa i’a prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i
vjetërsisë antike. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet të preç jo vetëm duart e kokën po dhe këmbët e trupin.

19 Re: Fan S. Noli prej Sat Mar 20, 2010 3:24 am

Juna




Kabineti i Pykave

- Fan Noli -

(Verej aktualitetin e ketij shkrimi dhe me mahnit arti i Nolit dhe shikimi kritik qe hyn drejt e ne plaget me te thella te Botes Shqiptare...)

Kabinet i Pykave


Qetësia, me të cilën më dëgjuat dje, më bëri një përshtypje të thellë. Veçanërisht, duke marrë ndër sy që midis dëgjonjësve, ndodheshin shumë
kundërshtarë të metimeve tona politike. E ndjej pra, veten të detyruar
të falënderoj të gjithë e të këshilloj miqtë tanë të dëgjojnë me atë qetësi kritikat e kundershtarëve, se, tërë mjeshtëria e politikës është të dëgjosh mejtimet e të gjithë palëve me durim e gjakëftohtësi, të përqasësh e t´i peshosh, dhe pastaj të votosh pas gjykimit e ndërgjegjes. U gëzova shumë që populli i Korçës dhe i rretheve e paskan këtë virtyt civil, dhe tani e ndjej veten time më kryelartë që jam qytetar i nderit i qytetit tuaj të urtë patriotik. Dha jam i lumtur që vinj sot përsëri përpara jush, që t´ju shpjegoj arsyet për të cilat kundërshtojmë qeverinë e sotme.

E kundërshtojmë se disorganizon shtetin, se shkel liritë, se s´kujdeset as për bukën , as për shëndetin, as për arësimin e popullit. Këto arësye i kemi shpjeguar dhe në parlament, po taje zëri ynë u mbyt prej gishtrinjve të deputetëve proqeveritarë.

Dalim, pra, tani, përpara gjykatores së lartë të popullit që të na gjykojë e ta verë në vend cilindo me topuzen e votës.

Makiaveli i ndau qeveritarët në tri kategorira:

Qeveritarët që kanë ment vetë e dinë ta rregullojnë shtetin me squatësinë e tyre, këta janë më të mirët: qeveritarët që s´kanë ment vetë, po përfitojnë nga sqotësia e këshilltarëve të tyre, dhe këta janë të mesmit: qeveritarët, të cilët s´janë të zotët as vetë, as dinë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre, dhe këta janë ata më të humburit. Për fat të keq, qeveritarët tanë hyjnë në kategorinë e tretë.

Kabineti ynë i sotëm është në kuptimin e plotë të fjalës Kabineti i Pykave. Se ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlera civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë.

Ideali i tyre nuk është të organizojnë shtetin, se as ata vetë s´dinë të organizojnë, as organizatorët nuk do t´i lenë të lirë. Ideali i tyre është të mbajnë kulltukët me çfarëdo çmimi.

Mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe rushfeti. Me drurin e me forcën brutale po përpiqen të skllavërojnë racën tonë e të përjetësojnë qeverimin tiranik të tyre. Shtypjen e Shqipërisë së Mesme përpiqen tani ta zbatojnë e në prefekturat e tjera, që kështu të mos mbetet asnjë krahinë e gjallë dhe e lirë që të përpiqen t´i kundërshtojnë.

Me rushfetin në formë të ndrydhme, me misione të papemëta (pafrutshme), duke me emërime nëpunës të pazotit, me krijimin e nëpunësirash të ra dhe duke çkallmuar arkën e shtetit, po përpiqen të fitojnë miq e partizanë më të djathtë e më të mëngjër. Nga kjo rrejth defiçiti i buxhetit, i cili është prej 5 meleunash, ndonëse këto 5 meleuno në kartë, nuk duken - shtimi i taksave dhe mospagesa e nëpunësve.

Nga padia prishën në vend që të mdërtojnë, çkulën një udhë moderne të ndërtuar në Berat prej austriakëve dhe e rindërtuan aq bukur sa u çkallmua posa ra shiu i parë. Për të zbukuruar Tiranën rrëzuan përmbi 150 shtëpi e dyqane, pa i çpërblyer popullit para, të cilët mbetën udhëve, dhe Tirana, sot është më e shëmtuar se më parë.

Bashkë me barangat e Vlorës që u shitën për dhjamë qeni, jo për banesa, po që të çkulen e të shiten si material, u shitën e disa ndërtesa prej guri të cilat kanë kushtuar qindra mijëra franga. Një ndërtesë e gurtë me një shije të bukur pranë Ujit të ftohtë që ka kushtuar të paktën 300 000 lireta u shit prej qeverisë sonë vetëm 150 000 lireta e tani nuk ekziston më.

Një debojë(depo armësh) afër Drashovicës, që përmbante vegla të ndryshme për të ndërtuar udhët që bënte meleunë lireta kishte mbetur e pacënuar gjersa arriu në vesh të qeverisë sonë lajmi i ndodhjes së saj. Po me të dëgjuar qeveria jonë emërtoi një kujdestar, që ta ruante: tërë ky thesar u çduk si me magji në këtë thes, dhe qeveria jonë dërgonte misione jashtë të blinte vegla që të ndërtonte udhët.

Nga padia s´u japin asjnë rëndësi dëgëve të bujqësisë, shëndetësisë e arësimit, degë të cilat janë për Shqipërinë çështje jete dhe vdekje.

20 Re: Fan S. Noli Today at 7:07 am

Sponsored content


Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi

 
  •  

Free forum | © PunBB | Forum mbështetës | Kontakto | Report an abuse | Have a free blog with Sosblogs